“Na kishte marrë malli”/ Babai i Hashim Thaçit pas takimit me të birin në Hagë: E presim të kthehet sa më shpejt në Kosovë

Prindërit e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi kanë shkuar në Hagë këtë të diel, për të vizituar djalin e tyre, i cili po mbahet në qendrën e paraburgimit të Gjykatës Speciale atje. Pas takimit me të birin, prindërit e ish-presidentit kanë folur për mediat. Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit, u shpreh i lumtur që e pa sërish djalin e tij, ndërsa uroi që ai dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së të kthehen sa më parë në Kosovë.

“Jemi të lumtur që na u dha rasti me ardhë, me pa djalin tonë, Hashimin. Na ka marrë malli për të. Na merr malli, se jemi mësu me pa shpesh. Na mungon djali. Na mungojnë krejt shokët e tij. I mungojnë venit, Kosovës. Pa marrë parasysh që u kanë i nxanun me punë të shtetit, Hashimi gjithë ka gjetë kohë edhe ka ardhë me na pa në Burojë. Se na pleq, i kemi ba do vjet, mezi po himë e po dalim në kamë tona. Ishalla nuk shkon gat e kthehen tanë, jo veç djali jonë, po krejt këta shokët këtu, kthehen n’shpi të veta, qaty ku kanë punu shumë për qat Kosovë mu ba e lirë e shtet i pamvarun. I presim na familja me u kthy sa ma shpejt, i pret krejt shqiptaria. Ata e kanë venin n’Kosovë e jo këtu”, tha ai.