“Na jep lekë, motorrin dhe orën”/ Rrëmbyen, torturuan dhe kërcënuan djalin e biznesmeni, mes autorëve edhe këngëtari i njohur
Një ngjarje tronditëse është zbuluar në Athinë, ku djali 24-vjeçar i një biznesmeni grek është rrëmbyer dhe torturuar për më shumë se pesë orë nga një grup kriminal prej katër personash, mes të cilëve ndodhet edhe këngëtari i njohur Ivan Greko.
Sipas mediave greke, gjithçka ndodhi mëngjesin e 6 majit në zonën e Hymettus, ku tre autorë sulmuan fizikisht të riun, e goditën me sende të mprehta në këmbë, e kërcënuan me jetë dhe më pas e futën me forcë në një makinë. E çuan drejt zonës së Saronidës, ku iu bashkua edhe një person i katërt që udhëtonte me motor – pikërisht këngëtari Ivan Greko.
Gjatë rrëmbimit, autorët i kërkuan viktimës 25 mijë euro dhe një motoçikletë tip BMW me të njëjtën vlerë. Ai u godit në mënyrë të përsëritur në trup, me grushta dhe me objekte të forta, ndërkohë që iu kërcënua jeta me armë zjarri.
Në makinën e rrëmbyesve, 24-vjeçari u detyrua të komunikonte me miqtë në telefon për të mbledhur shumën e kërkuar. Gjatë kësaj kohe, autorët tentuan t’i prisnin gishtat me një mjet prerës, por nuk ia dolën për shkak të rezistencës së fortë të viktimës.
Torturat vazhduan për orë të tëra në një plazh të izoluar në Saronidë, ku autorët e goditën me thikë dhe kaçavidë. Rreth orës 16:00, ata tentuan ta çonin në Glyfadë për të marrë një pjesë të shumës së parave, por gjatë rrugës, viktima ia doli të arratisej dhe të njoftonte një mik për ndihmë.
Pavarësisht arratisjes, kërcënimet ndaj tij nuk ndaluan. Përmes aplikacioneve online, autorët dërgonin mesazhe dhe video intimidimi, duke e detyruar të paguante shuma të tjera.
Autorët i morën viktimës:
-740 euro cash
-një orë dore luksoze me vlerë 20–29 mijë euro
-çelësat e makinës
-dhe vazhduan presionin për marrjen e motoçikletës BMW.
Policia greke zhvilloi një operacion në disa zona të Atikës, duke arrestuar të katër anëtarët e grupit. Sipas burimeve policore, rrëmbimi kishte karakteristika të ashtuquajturit “rrëmbim tigri”, një metodë ku viktimat mbahen nën presion psikologjik dhe dhunë fizike për të mos njoftuar autoritetet, ndërsa detyrohen të japin para dhe pasuri personale.