“Na jep 2 mijë euro, ose…” – Arrestohen dy persona që shantazhonin një 40-vjeçare me foto intime në TikTok
Policia ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Profili”, duke vënë në pranga dy shtetas të akuzuar për shantazh ndaj një 40-vjeçareje me foto intime në rrjetin social TikTok.
Në pranga kanë përfunduar shtetasit A. Xh., 45 vjeç, dhe A. L., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë. Ata akuzohen për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, të kryera në bashkëpunim.
Sipas hetimeve të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, dyshohet se të arrestuarit kishin kërcënuar 40-vjeçaren përmes celularit, duke i kërkuar shumën prej 2000 eurosh në këmbim të fshirjes së disa fotove intime të saj nga TikTok.
Falë bashkëpunimit të specialistëve të Hetimit të Krimeve Kibernetike, Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale (Fast Albania), dhe Sektorit Operacional të DVP Gjirokastër, operacioni u realizua me sukses, duke neutralizuar autorët e dyshuar.
Materialet për këtë rast i janë dorëzuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjirokastër për veprime të mëtejshme ligjore.