“Na jep 1000 euro që të fshijmë fotot në TikTok” – Arrestohet 27-vjeçari, procedohet bashkëpunëtorja

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Imazhi”, duke vënë në pranga një 27-vjeçar dhe duke proceduar penalisht një 25-vjeçare, të akuzuar për shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë.

Në pranga ka rënë Fadil Tafa, 27 vjeç, ndërsa është proceduar penalisht shtetasja L. M., 25 vjeçe. Të dy, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë kërcënuar një 33-vjeçar që t’u jepte 1000 euro në këmbim të fshirjes së disa fotove dhe shkrimeve mbi jetën e tij private nga rrjeti social TikTok.

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni është ndaluar edhe Leonard Haxhiu, 21 vjeç, i dyshuar për një rast tjetër të ngjashëm të ndodhur më 14 mars 2024.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.