Myrto Uzuni dhe rekordet duket se kanë një lidhje të jashtëzakonshme.
Pasi u bë golashënuesi më i mirë i huaj në historinë e klubit spanjoll, Granada, sulmuesi shqiptar shkruan një tjetër faqe në karrierën e tij. 29-vjeçari u zyrtarizua si futbollisti më i ri i Austin në MLS me të cilët ka firmosur deri në vitin 2027, me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon, kontratë nga e cila do përfitojë 1.5 milionë dollarë pa përfshirë bonuset.
Kartoni i Uzunit u ble për 12 milionë euro, shifër që e bën beratasin lojtarin më të kushtueshëm në historinë e klubit.
“Një nga arsyet kryesore që dua të bashkohem me Ostin është ambicia, e cila përputhet me ambicien time për të pasur gjithmonë sukses me një mentalitet fitues. Mund t’u them tifozëve të Ostin se do të bëj gjithçka për të shënuar gola dhe për të ndihmuar ekipin ta drejtoj drejt arritjes së objektivave tona. Unë po vij këtu për të thyer rekorde”- tha Uzuni.
Myrto Uzuni ka shënuar 49 gola dhe dhënë 8 asiste në 106 ndeshje me Granadën, skuadër me të cilët ka fituar Këpucën e Artë dhe e shtyu ekipin drejt ngjitjes në elitën e futbollit shqiptar. Gjatë sezonit aktual me Granadën, Uzuni kishte shënuar 14 gola në 18 ndeshje të ligës.
Përpara se t’i bashkohej ekipit spanjoll në janar 2022, Uzuni fitoi dy tituj radhazi në kampionatin hungarez, gjithashtu Kupën e Hungarisë, me Uzuni që shënoi tetë (8) gola për të përfunduar si golashënuesi kryesor i kompeticionit atë sezon. Beratasi ka shënuar edhe në Champions League, por edhe në Europa League.
Karrierën profesioniste e nisi në vitin 2013 me Tomorin, për të kaluar më pas në radhët e Apolonisë dhe Laçit. Golat me kurbinasit shërbyen për kalimin te Lokomotiva e Zagrebit. Në total, Uzuni ka 126 gola dhe 42 asistime në 322 ndeshje profesionale në karrierë.