“Musk drogohej gjatë fushatës së Trump” – New York Times publikon hetimin, reagon miliarderi
Elon Musk ka reaguar ashpër ndaj një artikulli të publikuar nga prestigjiozja New York Times, ku thuhet se miliarderi ka përdorur substanca psikoaktive si ketaminë, ekstazi dhe kërpudha halucinogjene, veçanërisht gjatë periudhës së fushatës presidenciale të Donald Trump.
Në një postim në platformën X (ish-Twitter), Musk deklaroi:
“Për të qenë i qartë, unë nuk marr drogë! New York Times gënjen. Kam përdorur ketaminë me recetë disa vite më parë dhe postova në lidhje me të në X, kështu që kjo nuk është asgjë e re. Nuk e kam përdorur më që atëherë.”
Sipas NYT, përdorimi i drogës nga Musk përfshinte sasi të konsiderueshme të ketaminës – një substancë që përdoret si anestetik, por që ka edhe efekte stimuluese – si dhe ekstazi dhe kërpudha halucinogjene. Artikulli u mbështet në mesazhe private dhe intervista me më shumë se 10 persona që e njohin ose kanë punuar ngushtë me të.
Nga ana tjetër, vetë Musk në të kaluarën ka deklaruar se ka përdorur doza të vogla ketamine për të luftuar tendencat depresive, duke pretenduar se kjo e ndihmonte të ishte më produktiv në punë.
Kjo nuk është hera e parë që raportohen lajme të tilla për Musk. Wall Street Journal kishte raportuar edhe një vit më parë se themeluesi i Tesla, SpaceX dhe X, kishte përdorur drogë në disa raste gjatë jetës së tij.