Murtaja e dhenve përhapet në Shqipëri! 263 bagëti të infektuara në Skrapar dhe një vatër infeksioni në Devoll
Murtaja e bagëtive ka shkaktuar alarm në disa zona të vendit, duke prekur dhjetëra ferma dhe duke shkaktuar dëme të mëdha tek blegtorët.
Në fshatin Polenë të Skraparit, janë raportuar 263 bagëti të infektuara në dy ferma të ndryshme. Lajmin e konfirmoi Shefi i Sektorit të Veterinarisë në Drejtorinë e Bujqësisë së qarkut Berat, Ilirjan Ramaj.
“Kemi dy raste në dy ferma në fshatin Polenë në Skrapar, ku pas analizave të kryera bagëtitë kanë rezultuar pozitive. Në njërën nga fermat janë 191 krerë të infektuar dhe në tjetrën 72. Janë marrë të gjitha masat: fermat janë futur në karantinë, është përcaktuar zona e kuqe 3 km përreth dhe janë ngritur pika kontrolli me ndihmën e policisë për të ndaluar lëvizjen e kafshëve të imëta,” u shpreh Ramaj.
Sipas tij, sëmundja përhapet vetëm përmes kontaktit të kafshëve, duke shkaktuar simptoma si lotim sysh, diarre, temperaturë të lartë deri në 42 gradë dhe plagë në gojë, që shpesh çojnë në ngordhje brenda tre ditësh. Autoritetet janë në pritje të urdhrit të Ministrisë së Bujqësisë për procedurat e asgjësimit të bagëtive të prekura.
Ndërkohë, një vatër tjetër infeksioni është zbuluar në qarkun e Korçës, në fshatin Shuec të bashkisë Devoll. Demirali Latollari, përgjegjës i shërbimit veterinar të qarkut, bëri të ditur se murtaja është konstatuar në tufën e blegtorit Florian Bode, ku 13 bagëti kanë ngordhur nga 170 gjithsej.
“Në një perimetër prej 3 km që përfshin Shuecin, Rakickën dhe Zagradecin është vendosur karantinë veterinare. Lëvizja e bagëtive nga kjo zonë në të tjera është e ndaluar, ndërsa fermerët këshillohen të mos blejnë ose shesin kafshë gjatë kësaj periudhe,” deklaroi Latollari.
Vetë fermeri i prekur, Florian Bode, ka apeluar për ndihmë duke theksuar dëmin e madh ekonomik: “Është një dëm katastrofik për ne. Kam humbur rreth 20 milionë lekë nga blerja e bagëtive. Kjo ishte e vetmja e ardhur për familjen tonë. I bëjmë thirrje shtetit të na ndihmojë sepse nuk kemi toka e ujë për vaditje dhe nuk dimë si të dalim nga kjo situatë.”