Mungesa e anijeve turistike në Pogradec, kryebashkiaku Xhakolli: Do të ndërtojmë port dhe kapiteneri

Pavarësisht përpjekjeve për të zhvilluar turizmin me varka dhe anije turistike, Pogradeci ka pasur vështirësi në realizimin e kësaj oferte, njësoj siç ka ndodhur në Ohër, ku turizmi ujor është një komponent i rëndësishëm.

Sipas kryetarit të Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, mungesa e anijeve turistike në qytet është kryesisht për shkak të mungesës së një porti dhe kapitenerie, çka ka penguar zhvillimin e këtij sektori.

Ai ka konfirmuar se Bashkia Pogradec ka një projekt të gatshëm për ndërtimin e një porti të ri, ku do të vendoset gjithashtu kapiteneria.

“Një investim i tillë do të mundësojë zhvillimin e turizmit ujor dhe do të zgjidhë problemet e ankorimit të varkave dhe anijeve turistike.”

Edhe qytetarët e Pogradecit e shohin linjën ujore për turizëm si një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e qytetit.

Llazi Kërxhalli, një nga qytetarët, kujton se anija e parë që ka mbërritur në Pogradec nga Ohri ishte në vitin 1963 dhe thekson se është tepër e rëndësishme vendosja e anijeve turistike për të pasur një ofertë më të pasur dhe të diversifikuar për vizitorët.

“Vendosja e anijeve turistike është një hap shumë i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit dhe do të shtojë vlerat e Pogradecit”, tha Llazi Kërxhalli.

Bashkia Pogradec ka tashmë një projekt të miratuar për ndërtimin e portit të ri, një investim që do të mundësojë zhvillimin e turizmit ujor dhe do të stabilizojë ankorimin e varkave në bregun e liqenit, një hapësirë që ka munguar për vite me radhë.