Treguesi i Ndjesisë Ekonomike për muajin prill të këtij viti ka regjistruar rritje me 6.6 pikë, çka tregon se besimi në ekonomi po përmirësohet gradualisht krahasimisht me dy muajt e parë të vitit ku ky tregues ishte me rënie.
Shifrat e Bankës së Shqipërisë nëpërmjet Vrojtimit të Besimit Konsumator dhe të Biznesit sinjalizojnë se Treguesi i Ndjesisë Ekonomike gjatë muajit prill ka arritur pranë 113.8 pikëve, që tregon se është 13.8 pikë mbi mesataren historike. Institucioni sqaron në vrojtim se ky përmirësim i treguesit që mat besimin në ekonomi ka ardhur kryesisht nga rritja e besimit në sektorët e industrisë, shërbimeve, tregtisë si dhe rritja e besimit konsumator. Në të kundërt , besimi në sektorin e ndërtimit pësoi një rënie të lehtë për të dytin muaj me radhë.
Treguesi i besimit në ndërtim ra lehtësisht me 0.7 pikë përqindje në muajin prill, ndërkohë që në muajin mars ky tregues ra me 0.9 pikë përqindje. Kjo ecuri këtë muaj u përcaktua kryesisht nga vlerësimet më të ulëta për nivelin e porosive aktuale. Nga ana tjetër, pritjet për punësimin dhe për çmimet që do të vendosin në të ardhmen kanë regjistruar rritje.
Treguesi i besimit të industrisë u rrit me 3.5 pikë përqindje në muajin prill, ndikuar nga vlerësimet më optimiste për prodhimin industrial aktual dhe për porositë nga eksportet në të ardhmen .Gjithashtu, pritjet e bizneseve për prodhimin industrial në të ardhmen regjistruan rritje ndërsa pritshmëritë për çmimet kanë mbetur të pandryshuara.
Treguesi i besimit në shërbime u rrit ndjeshëm me 8.2 pikë përqindje, duke shënuar kështu nivelin më të lartë historik me 22 pikë përqindje mbi mesataren. Në këtë rritje kontribuan performanca aktuale e aktivitetit të bizneseve si dhe rritja e nivelit të kërkesës nga konsumatorët.
Gjithashtu, Treguesi i besimit në tregti ka shënuar rritjen më të lartë të të gjithë treguesve këtë muaj, me rreth 9.3 pikë përqindje. Kjo rritje e fortë u ndikua kryesisht nga vlerësimet optimiste mbi ecurinë aktuale të biznesit si dhe pritjet për punësimin.
Nga ana tjetër, Treguesi i besimit konsumator u rrit me 3.8 pikë përqindje, duke përforcuar prirjen rritëse të nisur muajin e kaluar. Konsumatorët vlerësuan në përmirësim situatën e tyre financiare, situatën ekonomike të vendit në të ardhmen si dhe blerjet në shuma të mëdha , ndërsa pritjet e konsumatorëve për papunësinë dhe inflacionin në të ardhmen janë ulur.