“Mrekullia e sediljes 11A”! Si shpëtoi i mbijetuari i vetëm i aksidentit ajror në Indi

Tragjedia ajrore me përmasa të frikshme ka tronditur Indinë dhe mbarë botën.

Një avion tip Boeing 787 Dreamliner i kompanisë Air India u rrëzua një ditë më parë pranë aeroportit të Ahmedabadit, duke shkaktuar vdekjen e gati 300 personave, përfshirë edhe banorë në tokë.

Por në mesin e kësaj tragjedie, historia e një mbijetese të pabesueshme ka bërë xhiron e globit: Vishwash Kumar Ramesh, shtetas britanik me origjinë indiane, arriti të dalë i gjallë nga rrënojat e avionit.

41-vjeçari Ramesh, i cili ndodhej në sediljen 11A të avionit, doli nga rrënojat me këmbët e tij, duke pësuar vetëm disa gërvishtje dhe një dëmtim në këmbë. Vetë ai ka rrëfyer nga spitali momentet e tmerrit: “Pati një zhurmë të madhe menjëherë pasi u ngritëm në ajër dhe avioni nisi të binte. Gjithçka ndodhi brenda pak sekondash. Nuk mund ta besoj që jam gjallë.”

Ekspertët e aviacionit janë të habitur nga fakti që Ramesh i mbijetoi jo vetëm përplasjes, por edhe shpërthimit të fuqishëm që pasoi, pasi avioni kishte rezervuarët plot me karburant. “Është një mrekulli e vërtetë. Diçka e tillë ndodh shumë rrallë në historinë e aksidenteve ajrore”, deklaroi për GB News ekspertja Anita Mendiratta.

Sipas të dhënave zyrtare, në avion ndodheshin 242 persona. Të gjithë, përveç Ramesh, humbën jetën. Ndër viktimat është edhe vëllai i tij, i cili ishte ulur në një rresht tjetër.

Air India ka konfirmuar se avioni ra në një zonë të banuar, duke shkaktuar edhe viktima dhe dëme të mëdha materiale në tokë. Shkaku i rrëzimit ende nuk është sqaruar, ndërsa hetimet vijojnë.