Mrekulli në mes të tragjedisë! Një britanik shpëton nga rrëzimi fatal i avionit në Indi

Një pasagjer britanik i ka mbijetuar rrëzimin tragjik të avionit Air India pranë aeroportit të Ahmedabad. Ai është i vetmi i njohur deri tani që ka dalë gjallë nga aksidenti që mori jetën e më shumë se 200 personave. Historia e tij është një dritë shprese në mes të dhimbjes së madhe dhe tragjedisë.

Komisioneri i policisë së Ahmedabad, GS Malik, konfirmoi për agjencinë e lajmeve ANI se pasagjeri po trajtohet në spital dhe është në gjendje të stabilizuar. Sipas listës së pasagjerëve, personi që mbijetoi është Vishwash Kumar Ramesh, i cili udhëtonte në vendin 11A të avionit Boeing 787-8 Dreamliner.

Mediat indiane kanë siguruar një intervistë të shkurtër me Ramesh në spital, ku ai rrëfeu momentet dramatike të aksidentit.

“Tridhjetë sekonda pas nisjes, dëgjova një zhurmë të madhe dhe më pas avioni u përplas. Gjithçka ndodhi shumë shpejt,” tha Ramesh, duke përshkruar përvojën e tij të tmerrshme.