“Mrekulli e vërtetë”, historia e studentes që humbi fluturimin fatal në Indi: Më shpëtoi…

Mes dhimbjes dhe humbjeve të mëdha nga tragjedia e rrëzimit të avionit në Indi, vjen rrëfimi i një të mbijetuare të fatit, studentja 28-vjeçare Bhoomi Chauhan, e cila i shpëtoi vdekjes vetëm për shkak të një vonese prej 10 minutash.

Chauhan, e cila studion administrim biznesi dhe jeton në Bristol të Mbretërisë së Bashkuar me bashkëshortin e saj, kishte qenë për vizitë në qytetin e saj të lindjes në Indinë perëndimore. Ajo kishte prenotuar fluturimin AI171 të Air India, me destinacion Aeroportin Gatwick të Londrës, por trafiku i rënduar në rrugën drejt aeroportit të Ahmedabadit i ndryshoi fatin.

“Isha e regjistruar online dhe kisha vendin tim, 36G. Por arrita 10 minuta me vonesë për shkak të trafikut. I luta stafit të më lejonin të hipja, i thashë se isha pasagjeri i fundit, por nuk pranuan. Isha e zemëruar dhe shumë e zhgënjyer,” tregoi Chauhan për BBC.

Pak minuta më vonë, teksa përpiqej të gjente një mënyrë për të marrë rimbursimin e biletës, mori një telefonatë që do ta trondiste: avioni ishte rrëzuar.

“Ishte një mrekulli. Nëse do të kisha nisur vetëm 10 minuta më herët, sot nuk do të isha këtu për të treguar këtë histori,” tha Chauhan e emocionuar, duke e konsideruar shpëtimin e saj si dhuratë nga Zoti.

Ngjarja e rëndë ndodhi kur një Boeing 787 Dreamliner i Air India u nis në mesditë të enjten, por vetëm pak sekonda pas ngritjes duket se pati probleme teknike që çuan në rrëzimin e tij mbi një zonë të banuar pranë aeroportit të Ahmedabadit. Përveç jetëve të humbura në bord, u raportua edhe për të paktën tetë viktima në tokë.

Në bord ndodheshin shtetas indianë, britanikë, portugezë dhe kanadezë. Autoritetet konfirmuan vetëm një të mbijetuar, shtetasin britanik Vishwashkumar Ramesh, i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Shkaqet e tragjedisë po hetohen ende nga autoritetet indiane dhe ekspertët ndërkombëtarë.