Motrat Nikolli akuzuan Nuredin Dumanin se u vendosi tritol, identifikohet autori me precedentë! U fiksua nga kamerat e sigurisë

Policia e Elbasanit ka identifikuar autorin e vendosjes së tritolit në derën e hyrjes ku jetonin me qira dy motrat, Nikolli. Thuhet se ai është me precedent të mëparshëm kriminal, por për arsye hetimi, emri mbahet i fshehtë. Vetë motrat kanë akuzuar publikisht për tritolin, Nuredin Dumanin, i penduari i drejtësisë, i cili ka folur për shumë krime në vendin tonë.

Një person me precedentë të mëparshëm, është fiksuar nga kamerat e sigurisë, duke lëvizur në zonë, momentin e shpërthimit me tritol 5 ditë më parë, në pallatin ku jetonin motrat Alda dhe Xhovana Nikolli në Elbasan, dhe mbeti i plagosur aksidentalisht fqinji i tyre 26-vjeçar. Motrat Nikolli nga Lezha, ishin strehuar aty dy muaj.

Burime thonë se Policia ka identifikuar personin e dyshuar,  por për arsye hetimi, emri i tij nuk bëhet i ditur. Për atentatin motrat Nikolli kanë akuzuar të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumanin, me të cilin njëra prej tyre dy muaj më parë kishte nisur një romancë.

Duke folur për mediat, Alda Nikolli zbuloi raportin e saj me Nuredin Dumanin, për të cilin tha se ka kushte luksoze në qeli, dhe vendos gjoba nga burgu. Alda tha se u ndje e përdorur prej tij, me qëllim që kunatit të saj Amarildo Xhanej, t’i hiqej statusi i të penduarit të drejtësisë.