“Motra solli dokumentin final në Tiranë”/ Rama njofton përfitimin e pensioneve për shqiptarët në Itali nga 1 qershori

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se shqiptarët që punojnë në Itali do të mund të përfitojnë nga marrëveshja për pensionet duke filluar nga 1 qershori 2025. Përmes një postimi në Facebook, Rama ka falënderuar kryeministren italiane Giorgia Meloni, të cilën e cilësoi “Motër”, për sjelljen e dokumentit final të marrëveshjes në Tiranë gjatë Samitit të Komunitetit Politik Europian.

“LAJM I MIRË dhe i ndarë veç për t’i dhënë vëmendjen e duhur, jashtë vorbullës së Samitit të Komunitetit Politik Europian: Motra solli në Tiranë dokumentin final të procesit të gjatë ligjor mbi zbatimin e Marrëveshjes së Pensioneve me Italinë, që do të thotë se nga 1 qershori 2025 shqiptarët e Italisë do të nisin të përfitojnë nga kjo marrëveshje kuptimplotë për nivelin e ri të marrëdhënieve mes Shqipërisë e Italisë”, shkruan Rama.

Marrëveshja e cila përfshin rreth 500 mijë shqiptarë dhe 4 mijë italianë garanton të drejtat për pensionet e qytetarëve që kanë punuar në të dy vendet.