Motra e liderit të Koresë së Veriut, Kim Yo Jong, ka kërcënuar administratën amerikane me veprime hakmarrëse pas vendosjes së një aeroplanmbajtëse amerikane në Korenë e Jugut.
Në një deklaratë të transmetuar nga media shtetërore koreano-veriore, ajo akuzoi SHBA-në se po tregon “vullnetin e saj më armiqësor dhe konfrontues” ndaj Koresë së Veriut. “Do të ketë një përgjigje kërcënuese për këtë provokim,” theksoi Kim Yo Jong.
Ekspertët vlerësojnë se ky paralajmërim mund të nënkuptojë testimin e raketave të fuqishme nga Koreja e Veriut, të dizajnuara për të goditur kontinentin amerikan ose bazat ushtarake amerikane në rajon.
Marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të tensionuara, veçanërisht pas dështimit të negociatave midis Donald Trump dhe Kim Jong Un në 2019, të cilat u ndërprenë për shkak të mosmarrëveshjeve mbi sanksionet ekonomike ndaj Koresë së Veriut.