Moti i keq me reshje dëbore dhe shiu/ Policia: Shtim prezence në terren, ja rrugët e bllokuara dhe apeli për drejtuesit e mjeteve

Reshjet intensive të borës dhe shiut kanë krijuar vështirësi në qarkullim në disa akse rrugore në vend. Policia e Shtetit ka shtuar prezencën e punonjësve të Policisë Rrugore dhe Patrullave të Përgjithshme në terren për të monitoruar situatën, parandaluar aksidentet dhe ndihmuar përdoruesit e rrugës në nevojë.

Situata aktuale e rrugëve:

•Aksi “Bypass-Qafë Murrizë” (Dibër): Ky segment është bllokuar nga Policia për të shmangur pengesat si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës. Firma kontraktore po punon për pastrimin e rrugës.

•Aksi Fushë Arrëz – Iballë (Qafë Shari – Laku i Ballçit): Rruga është e pakalueshme për shkak të reshjeve dhe erës së fortë. Bashkia e Fushë Arrëzit po dërgon mjete për hapjen e segmentit.

•Aksi Qafë Thanë – Librazhd: Ky segment paraqet vështirësi për kamionët për shkak të reshjeve të dëborës.

•Akset e tjera rrugore: Të gjitha janë të hapura dhe borëpastrueset ndodhen në terren duke vijuar punën për pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës.

Përveç monitorimit të akseve të prekura nga dëbora, Policia ka shtuar patrullat në akset nacionale dhe urbane të prekura nga reshjet e shiut.

Policia u kërkon qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë drejtimit të automjeteve dhe të respektojnë udhëzimet:

•Moderojnë shpejtësinë.

•Qëndrojnë në radhë në rast të ngadalësimit të lëvizjes.

•Shmangin parakalimet e gabuara dhe përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit.

•Pajisin mjetet me goma dimërore në zonat ku ka dëborë.