Moti i keq bën “kërdinë” në SHBA! Tornadot dhe stuhitë vdekjeprurëse lënë mbi 40 viktima

SHBA është goditur nga një valë ekstreme moti, duke shkaktuar shkatërrime masive dhe të paktën 40 viktima në disa shtete. Tornadot, stuhitë e fuqishme dhe zjarret kanë prekur një zonë të gjerë nga Perëndimi i Mesëm deri në Jug.

Misuri është shteti më i goditur, me 12 të vdekur nga tornadot që shpërthyen të premten. Në Kansas dhe Teksas, stuhitë e pluhurit shkaktuan grumbullime të mëdha automjetesh, duke sjellë dhjetëra viktima.

Ndërkohë, në Oklahoma janë ndezur rreth 150 zjarre, të cilat dogjën mbi 170,000 hektarë tokë dhe shkatërruan gati 300 ndërtesa. Viktima janë raportuar gjithashtu në Arkansas, Alabama dhe Misisipi.

Më shumë se 320,000 banorë mbetën pa energji elektrike, ndërsa guvernatorët e disa shteteve shpallën gjendjen e jashtëzakonshme. Autoritetet paralajmërojnë për përmbytje të mundshme dhe vazhdim të kushteve ekstreme në ditët në vijim.