Mosbindja civile/ Deputetë e protestues nën hetim, Flamur Noka me ‘Range Rover’ kërcënon edhe policët
50 protestues në Tiranë dhe Elbasan janë vënë në hetim, si edhe 7 deputetë demokratë, mes tyre edhe Flamur Noka është bilanci i deritanishëm nga protesta e Partisë Demokratike për mosbindjen civile.
Në Kthesën e Kamzës, ku ishte edhe pika kryesore e protestës, opozita bllokoi qarkullimin duke përdorur edhe mjetet luksoze të deputetëve që po luftojnë prej kohësh me “mullinjtë e erës”. Policia e Tiranë ka vënë në hetim rreth 30 protestues, si edhe 4 deputetët Flamur Noka, Albana Vokshi, Xhelal Mziu dhe Asllan Dogjani.
Makina luksoze ‘Range Rover’ e Flamur Nokës ishte ajo që bllokoi qarkullimin. Katër deputetët akuzohen edhe për kundërshtim të forcave të rendit, pasi u përplasen me efektivët. Në krye të përplasjes ishte sigurisht Flamur Noka, ndërsa nuk mungoi as Albana Vokshi, Mziu e Dogjani. Madje Noka edhe i kërcënoi policët, duke u kërkuar që të largohen ose nuk do gjejnë vend ku të futen.
Policia e Elbasanit ka arrestuar tre protestues pas bllokimit të rrethrrotullimit në Bradashesh dhe përplasjeve me policinë. Ndërkohë 3 deputetët janë vënë në hetim, si edhe 20 protestues të tjerë po hetohen. Tre të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa tre deputetët në hetim janë Tomorr Alizoti, Tritan Shehu dhe Qani Xhafa.