Mosbindja civile, Berisha: Opozita në protestë me 23 dhjetor

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka lajmëruar protestën e radhës më 23 dhjetor.

Gjatë konferencës për shtyp nga selia blu, Berisha tha se “kjo do të jetë protesta më e fuqishme mosbindje civile” në kryeqytet.

“Regjimet rrëzohen ose me lëvizje të armatosur siç ndodhi dje me Alassad, ose me mosbinjde civile. Opozita shqiptare ka zgjedhur mosbindjen civile. “Siç e shihni, kjo rezolutë e votuar me unanimitet të plotë në Uashington është një mbështetje e fuqishme jo vetëm për PD-në, por është një mbështetje e fuqishme për çdo shqiptar që aspiron të jetojë në një vend të lirë dhe demokratik, që zhvillon zgjedhje të lira dhe jo në një narkoshtet.
Rezoluta lë mënjanë gjuhën me kuptime, por i thotë gjërat troç, shqip në mënyrë që çdo shqiptar ta kuptojë se IDU qëndron në anën e tyre, por edhe një damkosje e Edi Ramës, është Edi Rama në rreth të kuq para të gjitha kancelarive dhe institucioneve demokratike në botë.
Rezoluta mbështet aspiratat e Shqipërisë për integrim në BE, por përcakton se ky proces kalon në një seri kushtesh.
Kjo është rezoluta e tretë në hark kohor nga data 16 nëntor gjer para dy ditësh.
Kjo është unike.
Çfarë do të thotë kjo? Si ka mundësi tre rezoluta në më pak se një muaj?
Do të thotë se situata është jashtëzakonisht alarmante në Shqipëri.
Pra, kemi të bëjmë me një situatë alarmante, të patolerueshme.
Kurrë ndonjëherë nuk do votoheshin tre rezoluta në më pak se një muaj për një vend.
Por, janë ndërgjegjësuar partnerët tanë se kanë të bëjnë me një narkodiktator që nuk ndjek asnjë rregull përveç interesave të pushtetit të tij.
Pra, të themi atë që është, Edi Rama është në rreth të kuq.
Por këto rezoluta, ndonëse janë një ndihmë shumë e madhe për opozitën dhe popullin shqiptar, janë një detyrim madhor për opozitën shqiptare si forca e vetme politike për të çliruar Shqipërinë nga kjo diktaturë.
Diktatura rrëzohet ose me lëvizje të armatosur siç dje me diktatorin gjakatar Bashar Al Asad, ose me mosbindje civile.
Opozita shqiptare ka zgjedhur mosbindjen civile si rrugën kryesore, të vetme për të çliruar shqiptarët nga narkodiktatori dhe diktatura e tij që kërkon të marrë njëlloj si Lukashenko mandatin e katërt, të grabisë mandatin e katërt.
Ndaj dhe data 23 dhjetor do të jetë dita e mosbindjes më të fuqishme kombëtare që ka njohur Shqipëria gjer sot.
Modalitetet e kësaj mosbindje do përcaktohen nga grupi përgjegjës, por opozitarët dhe demokratët nga mbarë Shqipëria dhe kudo që ndodhen në botë, duhet të bashkohen me 23 në një mosbindje civile që duhet të ketë fuqinë e elektroshokut për regjimin narkodiktatorial të Edi Ramës.
Duke e mbyllur çështjen e rezolutave, shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj kryetarëve, kryeministrave, presidentëve, kryetarëve të partive anëtare të këtyre organizatave, që me një shpejtësi të rrufeshme votuan në një hark kohor në më pak se katër javë tre rezoluta kushtuar Shqipërisë, duke faktuar kështu se Shqipëria është bërë problem madhor për vendet ku ato qeverisin ose ku janë në opozitë, pra për mbarë botën më shumë se çdo vend tjetër”
, tha Berisha ndër të tjera.