“Mos kini frikë t’i gëzoheni Shqipërisë kur shkëlqen!” Rama- kritikëve: PS do të jetë edhe disa vite në pushtet
Kryeministri Edi Rama, përmes rubrikës së tij në Facebook “Sy më sy”, u është përgjigjur ndjekësve që kanë komentuar mbi suksesin e turizmit në Shqipëri. Ai tha se ky sukses është rezultat i punës dhe vizionit të qeverisë që ai drejton.
“Postova qëparë tabelën e UN Tourism, organizata gjithëbotërore e turizmit ku janë anëtare të gjitha vendet e OKB-së. Mirëpo, disa miq këtu kishin disa gjëra ndryshe për të thënë, ndaj ia vlen të bëj një koment ‘Sy më sy’”, tha Rama.
Një nga komentuesit kundërshtoi krahasimin e Shqipërisë me Greqinë për turizmin, duke u shprehur skeptik për shifrat. Rama, megjithatë, i qëndroi argumentit të tij, duke theksuar se përmirësimet e ndjeshme në sektorin e turizmit janë të dukshme dhe të pakundërshtueshme.
Ai gjithashtu u shpreh se Partia Socialiste do të vijojë të jetë në pushtet për disa vite të tjera, duke lënë të kuptohet se reformat dhe politikat e saj do të vazhdojnë të ndikojnë në zhvillimin e vendit.