“Mos kini frikë nga injoranca dhe lajthitja” – Imamoglu mesazh nga burgu! Nesër Mblidhet kongresi urgjent i CHP në Ankara
Ish-kryebashkiaku i Stambollit dhe figura kyçe e opozitës turke, Ekrem Imamoglu, ka dërguar një mesazh të fuqishëm nga burgu i Silivrisë, ku po mbahet pas arrestimit të tij tri ditë më parë. Në postimin e shpërndarë në platformën X, Imamoglu i bën thirrje qytetarëve që të mos dorëzohen përballë padrejtësisë dhe frikës.
“Mos kini frikë! Mos kini frikë nga ata që janë në injorancë dhe lajthitje!” – shkruan Imamoglu, duke cituar një frazë të njohur nga udhëheqësi historik Kemal Ataturk. Ai shton se “guximi, vendosmëria dhe këmbëngulja duhet të jenë motoja jonë. Kombi është i madh!”
Në mesazhin e tij, Imamoglu thekson se qeveria aktuale ka përfunduar ciklin e saj të jetës dhe po ndërmerr lëvizjet e fundit të dëshpëruara për të mbajtur pushtetin.
Ndërkohë, Partia Popullore Republikane (CHP), ku Imamoglu është një nga figurat më të rëndësishme, ka njoftuar mbajtjen e një kongresi urgjent nesër në Ankara. Ky zhvillim vjen si reagim ndaj rrezikut të emërimit të një administratori nga qeveria në drejtimin e partisë, pas hetimeve të nisura nga prokuroria.
Kongresi është thirrur nga kreu i CHP-së, Özgür Ozel, dhe do të jetë një konventë me vetëm një kandidat presidencial, me synimin për të ruajtur unitetin dhe për të penguar ndërhyrjet politike në partinë më të madhe opozitare në Turqi.