“Mos humbni fytyrën” – Pas mesazhit të Ramës, kandidatët socialistë tërheqin kërkesën për pamjet filmike të numërimit

Pas një mesazhi të qartë nga kryeministri Edi Rama, kandidatët socialistë për deputetë në zgjedhjet e pjesshme të 11 majit, Blerina Gjylameti, Etilda Gjonaj dhe Xhemal Qefalia, kanë tërhequr kërkesën e tyre drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të parë pamjet filmike të procesit të numërimit të votës preferenciale.

Tre kandidatët, të cilët konkurruan në listën e Partisë Socialiste në Tiranë, kishin ngritur pikëpyetje lidhur me rezultatin e preferencave individuale, duke kërkuar verifikimin e votave nëpërmjet kamerave të vendosura në qendrat e numërimit. Por ky veprim duket se është ndalur në rrugë, menjëherë pas një qëndrimi të prerë të kreut të qeverisë.

Një ditë më parë, kryeministri Rama, përmes një deklarate të shkurtër, apeloi drejtpërdrejt ndaj kandidatëve që nuk arritën të fitojnë, duke i këshilluar të mos e zgjatin çështjen dhe të mos kërkojnë verifikime që sipas tij mund të dëmtojnë imazhin personal e politik.

“Humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën,” ishte mesazhi i Ramës, i cili duket se është marrë seriozisht nga kandidatët në fjalë.