“Mos hajde tek lokali im”! Plagosja me thikë në Shkodër, zbardhen detaje të reja si nisi sherri mes këngëtarit dhe tregtarit

Një sherr mes këngëtarit shkodran Ademir Fresku dhe tregtarit Gjergj Dardha ka përfunduar me plagosjen e artistit. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm, rreth orës 11:00, në sheshin “Demokracia”. Sipas burimeve, 50-vjeçari Dardha, i cili dyshohet se ishte në gjendje të dehur, ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur disa herë këngëtarin, pasi ky i fundit i kishte ndaluar hyrjen në lokalin e tij.

Sipas informacioneve, konflikti ka nisur pasi Ademir Fresku, pronari i lokalit, i ka bërë të qartë Dardhës se nuk do t’i shërbehej më dhe i ka kërkuar të mos frekuentonte më lokalin. Kjo duket se ka acaruar 50-vjeçarin, i cili ka reaguar menjëherë duke e goditur Freskun me thikë.

Pavarësisht plagëve të marra, këngëtari është jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtim mjekësor. Ndërkohë, autori i dyshuar, Gjergj Dardha, është vënë në pranga nga policia. Sipas njoftimit zyrtar, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes.

Deklarata e Policisë:

“Rreth orës 11:00, te sheshi ‘Demokracia’, dyshohet se shtetasi Gj. D., 50 vjeç, ka dëmtuar me mjet prerës (thikë) shtetasin A. F., 30 vjeç, i cili është jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit.”

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim në komunitet, ndërsa pritet të bëhen publike detaje të mëtejshme mbi incidentin.