Kryeministri Edi Rama ka apeluar për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e 11 majit, të regjistrohen sa më shpejt në sistemin online të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Ai theksoi se afati për regjistrimin është deri më 4 mars dhe ata që nuk e kryejnë këtë proces deri në këtë datë, nuk do të mund të votojnë.
Në një deklaratë për mediat, Rama u shpreh se regjistrimi për votimin me postë është i thjeshtë dhe kërkon vetëm disa minuta. Ai kërkoi që diasporës t’i japë vëmendje këtij procesi dhe të mos e lënë për momentet e fundit. “Zgjedhjet janë më 11 maj, por për të votuar nga jashtë Shqipërisë, duhet të regjistroheni deri më 4 mars. Ndryshe nuk do të mund të votoni. Regjistrimi bëhet në faqen e KQZ, www.kqz.gov.al, dhe nuk është e vështirë, por kërkon pak durim”, tha Rama.
Ai theksoi se koha po kalon shpejt dhe se është e rëndësishme që qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë të veprojnë tani për të mos humbur mundësinë për të ushtruar të drejtën e votës. Rama u bëri thirrje atyre që të mos shtyjnë regjistrimin për ditët në vijim, duke i kujtuar se vetëm ata që regjistrohen deri më 4 mars do të kenë mundësi të marrin fletën e votimit përmes postës, ta mbushin dhe ta kthejnë në KQZ.
Po ashtu, kryeministri theksoi se qeveria do të mbulojë të gjithë shpenzimet për dërgimin e zarfit me votën e diasporës, duke bërë të mundur që procesi të jetë i thjeshtë dhe pa kosto për ata që duan të votojnë. Rama u shpreh se ky është një mundësi e madhe për shqiptarët jashtë, që të kenë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre dhe të ndikojnë në zhvillimet politike të vendit të tyre.