“Mos e BLINI!”/ Mishi i pulës me salmonelë u konsumua, AKU nuk gjen asnjë gram nëpër tregje

Mishi i pulës, i kontaminuar me salmonelë, është konsumuar nga qytetarët. Kjo pasi, nga kontrollet që janë bërë në supermarkete apo kudo ku mund të shitej, nuk është gjetur asnjë gram mish i futur në vendin tonë nga kompania “diMal”.

Të kontaktuar nga Tv Klan, AKU thotë se grupet e inspektimit u shtrinë në 10 qarqet ku ishte shitur mishin madje në të gjitha njësitë tregtare janë vendosur njoftime me foto të produktit për të informuar konsumatorin qe në rast se e kanë blerë këtë mish të mos e konsumojnë. Por duke qenë se askush nuk e ka kthyer produktin, ka dyshime se e kanë konsumuar.

27 ton mish pule me salmonelë u importuan këtë muaj nga Brazili në vendin tonë. Mishi me salmonelë është futur në vendin tonë nga Brazili dhe është shpërndarë në treg nga kompania “diMal”. Sipas analizave të kryera në ISUV, u zbulua se mishi ishte infektuar me “Salmonella Typhimurium”, por që në këtë kohë, mishi ishte shitur.

Gjithsej, nga 27 ton, janë shitur 13.5 mijë kilogramë; shumica në qarkun e Kukësit, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë nëpër marketet e gjithë vendit. Në lidhje me rastin në kërkim është shpallur Arben Goxha, administratori i kompanisë, ndërsa në hetim është i vëllai, Mond Goxha, pronar i ‘dimal’ dhe 3 inspektorët e AKU-së, Gezim Hushi, Sada Lufta, Aldo Sinjari.