Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër lidhur me arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, duke akuzuar gjyqtarin e çështjes për qëllime të dyshimta dhe kërkuar ndërhyrjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD). Rama theksoi se rasti është shumë i rëndë dhe ILD duhet të marrë masa disiplinore.
“Ky është një rast që duhet parë me kujdes. Nuk e di nëse është zgjuar Inspektori i Lartë i Drejtësisë në këtë orë, por mbase zgjohet dhe më dëgjon. Është shumë e rëndë kjo që po ndodh,” tha Rama.
Ai shtoi se kishte marrë një mesazh në telefon, ku thuhej se gjyqtari i çështjes Veliaj ishte përzgjedhur qëllimisht, pasi gjyqtarët e tjerë e kishin refuzuar çështjen.
Rama paralajmëroi prokurorët që të mos guxojnë të kërkojnë telefonin e tij, duke lënë të kuptohet se hetimet po shkojnë përtej kufijve të arsyeshëm.
“Mos bëjnë gabim të vijnë të kërkojnë telefonin tim, sepse boll i kanë mbledhur të gjithë telefonat e Shqipërisë. Të merren me faktet!” përfundoi Rama, duke kritikuar ashpër mënyrën e trajtimit të kësaj çështjeje nga organet e drejtësisë.