Mori zvarrë policin për disa metra në Fresk, 36-vjeçari u nervozua dhe ofendoi pasi rruga u bllokua nga kalimi i eskortës së kryeministrit Rama

Efektivi i Policisë Rrugore që u aksidentua nga një mjet në zonën e Freskut në Tiranë ka pësuar dëme të shumta dhe thyerje në trup si pasojë e përplasjes.

Në momentin e ngjarjes, 2 efektivë të Rrugores ishin në terren për hapjen e qarkullimit në zonë, pasi do të kalonte eskorta e Kryeministrit, Edi Rama.

Drejtuesi i mjetit Isniq Nokshiqi, 36 vjeç, me origjinë nga Tropoja, ka qenë i ndaluar dhe duke ofenduar e bërtitur. Policët i janë afruar për ta qetësuar dhe për t’i kërkuar të lëviz makinën, por i riu u është kthyer me tone të ashpra edhe policëve, duke i ofenduar.

Në momentin që njëri prej policëve ka qenë para makinës, i ka dhënë gaz dhe e ka marrë para për disa metra, duke i rrëzikuar seriozisht jetën. Menjëherë pas ngjarjes është larguar, por është lokalizuar nga agjentët e Komisariatit nr. 4 dhe është arrestuar.