Një nga emrat më të njohur në botën e krimit në Greqi, Vangelis Zampounis, 44-vjeç, u ekzekutua në një atentat mafioz në orët e para të së dielës.
I njohur me pseudonimin “Zambon”, 44-vjeçari dyshohet të jetë kreu i grupi gjobvënësish dhe vrasësish me pagesë.
Ai është ndaluar nga autoritetet, por ndaj tij nuk u gjetën asnjëherë prova, ndërsa në vitin 2018 atij iu bë një atentat në Pire.
44-vjeçari u ekzekutua me mbi 90 plumba kallashnikovi brenda makinës së tij të blinduar.
Nga pamjet filmike 44-vjeçari është zënë në befasi sapo ka hyrë në makinë jashtë një karburanti.
Vetëm brenda 30 sekondash një makinë i është afruar nga e cila kanë zbritur dy persona të armatosur. Njër prej tyre është afruar menjëherë në xhamin e shoferit dhe ka zbrazur karikatorin e parë të kallashnikovit.
Më pas ai është tërhequr ka ndërruar karikator dhe ka vijuar duke qëlluar me breshëri. Në një moment për t’u siguruar që objektivi kishte ndërruar jetë, ai hap derën e makinës dhe e qëllon sërish.
Ai i shpëtoi një atentati në Pire në vitin 2018, vetëm sepse kallashnikovi i atenatatorëve bllokohet. Në këtë atentat ai shpëtoi vetëm me një plag në këmbë.
Pas atentatit, kryemafiozi grek i rriti ndjeshëm nivelet e sigurisë, duke lëvizur gjithmonë me eskortë dhe me jelek antiplumb të veshur.
Por muajt e fundit ai dilte mjaft shpesh vetëm me BMW-në e blinduar, duke hequr eskortën dhe jelekun e blinduar.
Mediat greke bëjnë me dije se kryemafiozi mori garanci se nuk ishte më në rrezik. Si lider i mafies greke, ai mund të ketë besuar se problemet ishin mbyllur, dukë bërë që të ulte vigjilencën, por që rezultoi fatale.