Morën pjesë në ceremoninë mortore të Navalnyt, 120 të arrestuar! SHBA: Ai dha jetën për një Rusi më të mirë

Të paktën 120 persona u arrestuan nga policia e Moskës për pjesëmarrje në ceremoninë e lamtumirës së ish-opozitarit më kritik rus, Alexei Navalny cili vdiq në rrethana në dyshimta më 16 shkurt në një burg në Arktik.

Navalny është varrosur në varrezat afër shtëpisë ku është rritur, teksa dhjetëra mijëra mbështetës u mblodhën jashtë kishës ku u mbajt ceremonia e lamtumirës. Familjarët dhe ndihmësit e ngushtë janë lejuar të jenë brenda në kishë, para se ai të varrosej.

Forcat policore kanë qenë në çdo cep të rrugëve të Rusisë, dhe ndonëse nuk ka pasur raportime për incidente, më shumë se 120 persona u ndaluan vetëm se morën pjesë në organizimet për të nderuar Navalnyn.

Në rrjetet sociale kanë qarkulluar fotografi të ceremonisë së zhvilluar në kishë, ku shihen prindërit e Navalnyt pranë trupit të tij, të hapur deri në kraharor, në mënyrë që pjesëmarrësit të mund ta shihnin për herë të fundit. Shumë njerëz kanë vënë lule në makinën që transportoi trupin e tij dhe disa janë dëgjuar duke bërtitur ‘jo luftës’ dhe ‘Putini është vrasës’.

Në ceremoninë në kishë morën pjesë edhe shumë diplomatë perëndimorë të akredituar në Moskë.

“Puna e Aleksei Navalnyt ka shpërfaqur një vizion të një ardhmeje më të mirë për Rusinë. Ai e ka dhënë jetën për shërbimin patriotik dhe për shumë rusë, Navalny është simbol i asaj që mundet dhe duhet të jetë Rusia”,- ka thënë Ambasada amerikane në Moskë.

Navalny ka qenë duke vuajtur një dënim me burgim prej 19 vjetësh për akuza që ai dhe mbështetësit e tij i kanë konsideruar të motivuara politikisht, ndërsa familja dhe diplomatët perëndimore akuzojnë presidentin rus si përgjegjës për vdekjen e tij.