Monopatinat elektrike si “kurthe vdekjeje”, cilat janë masat e ndërmarra nga shteti

Monopatinat elektrike, trendi i fundit i të udhëtuarit po kthehen gjithnjë e më shumë në kurthe vdekjeprurëse për qytetarët.

 

Viti 2023 u mbyll me 48 aksidente që përfshijnë monopatinat elektrike, me 31 të plagosur dhe 1 viktimë. Të tilla shifra dhe monitorimet e fundit nga Policia Rrugore kanë bërë që autoritetet përgjegjëse të ndërmarrin hapa konkretë siç është dhe ndërhyrja në Kodin Rrugor.

Monopatinat elektrike, njëjtë si makinat me numër shasie do duhet të kenë një kod unik për tu identifikuar sa prej tyre ka në qarkullim. Nisur nga aksidentet në rritje, Report Tv mëson se do të ndryshohet kodi rrugor për të mos lejuar përdorimin e monopatinave nën moshën 16 vjeç dhe as pa kaska mbrojtëse

Një kod unik i njëjtë me numrin e shasisë në automjete po mendohet të jetë i detyrueshëm edhe për monopatinat elektrike të cilat qarkullojnë në rrugë, ndërsa parashikohet të vendosur edhe një moshë minimale për përdoruesit.  Një draft ky që po hartohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, në bashkëpunim me Policinë Rrugor.

Veç kaskës mbrojtëse, në projektin për ndryshime në Kodin Rrugor po shqyrtohet  mundësia që të tjera pajisje shtesë për sigurinë e përdoruesve të jenë të detyrueshme.

Në shumë raste, motorët elektrike të cilët kanë një fuqi motorike më të lartë se monopatinat dhe biçikletat, qarkullojnë në korsinë e dedikuar për këto të fundit, duke u bërë shkak për aksidente.

Prej muajit gusht 2023 kur ka nisur aplikimi i masave administrative për monopatinat elektrike deri më 5 janar 2024, janë vendosur 296 gjoba, duke përfshirë të gjitha shkeljet si; “mos qarkullimi në korsinë e duhur”, “kalimi me semafor të kuq” apo dhe “mosmbajtja e mjeteve mbrojtëse”.