Monika Kryemadhi ironizon Tedi Blushin: I largoi njerëzit nga Meta, mos do edhe takat dhe fustanin tim?

Në një deklaratë për mediat, Monika Kryemadhi ka shpërthyer me akuza dhe ironi ndaj drejtuesve aktualë të Partisë së Lirisë, duke lënë të kuptohet se Ilir Meta po izolohet dhe manipulohet nga njerëz të afërt me të.

Në fokus të sulmit ishte Tedi Blushi, për të cilin Kryemadhi tha se “ia largoi gjithë njerëzit Metës” dhe e ironizoi me fjalët: “Mos do edhe takat dhe fustanin tim?”.

“Nuk i përgjigjem z. Meta, ju përgjigjem atyre që e izolojnë dhe manipulojnë Metën. Përdorimi i kartës nuk është mëkat, është transparencë. Marrëdhënia ime me kushëririn tim Adrian Shatkun është familjare. Njerëzit që informojnë Metën kanë një qëllim. Unë mendoj se arrestimi i tij është politik, urdhër i Yuri Kim dhe Aleksandër Soros.

SHBA paguan shumë para për reformën në drejtësi, nuk kanë paguar që prokurorët të bëjnë afera për grupe të caktuara. Ata që lexojnë fleterrufetë e SPAK-ut nga zyrat e Partisë së Lirisë, ju them çdo fjalë e shkruar qoftë në akuzë apo pretendimet e SPAK-ut, është manipulim. Ju gazetarët thoni që Ilir Meta ka fjetur në një hotel me Kastriot Ismailajn, ka qenë Monika Kryemadhi që tha që nuk është kështu.

Tedi Blushi mori ça kishte për të marrë, ia largoi gjithë njerëzit nga Partia Ilir Metës. E gënjeu, i tha na kanë hequr vjehrrin nga puna. Çfarë do më shumë Tedi Blushi? Deputet u bë. Vizitat e fëmijëve i ka zëvendësuar Tedi Blushi, mos do takat dhe fustanin tim?”-u shpreh Kryemadhi.