“Momenti i sherrit zgjati rreth 10 sekonda”, zv. drejtori i Policisë ndan detaje: Jemi duke hetuar vrasjen e Martin Canit

Erion Ismaili, zëvendësdrejtor i Krimit në Tiranë dha më shumë detaje në lidhje me sherrin ku mbeti viktimë Martin Cani.

Ai tha se policia posedon pamje të konfliktit, ndërsa shtoi se momenti i konfrontimit mund të ketë zgjatur rreth 10 sekonda.

“Kemi dy episode, më datë 15 ku jashtë ambienteve të shkollës kemi pasur një debat mes viktimës dhe autorit. Pas këtij episodi ka pasur një komunikim në aplikacionin Snap Chat, ku duket se janë sqaruar, por kanë lënë një takim të hënën pas mësimit.

Episodi i dytë i ka ndodhur në ambientet shkollës. Më pas vijmë te ngjarja, që është rreth orës 13:00, 18 tetor. Viktima dhe personat kanë qenë në mbarim të procesit mësimor. Janë bashkuar 200 metra larg shkollës, duke evidentuar problematikën, kanë përshkuar 40 metra nga vendi i ngjarjes. 

Në këtë vendngjarje kemi evidentuar 9 nxënës shkolle, 6 prej tyre janë në krahun e viktimës. Në krahun e autorit është autori dhe një nxënës tjetër. Janë identifikuar këta persona, janë pyetur dhe ripyetur. 3 prej tyre nuk janë të shkollës “Fan Noli”, janë nga krahu i viktimës. Kemi një dinamikë të qartë të ngjarjes. Që nga momenti i sherrit… momenti i goditjes është në disa sekonda. Debati dhe momenti i konfrontimit mund të jetë 10 sekonda. Nuk e kemi të filmuar këtë. Kemi video dhe gjatë momentit.

Nga ana e policisë janë kryer një sërë veprimesh. Jemi deri tek një person, hetimi vazhdon. Ka pamje filmike të vendit të ngjarjes, jemi duke shqyrtuar edhe pamje të tjera, ka një panoramë të qartë, nuk vjen vetëm nga pjesa e pamjeve filmike, kemi pyetur në momentin e ngjarjes, kemi ripyetur sërish personazhet nëse kemi të bëjmë me të njëjtat thënie.” u shpreh ai në Top Channel.