Mjeku italian shiste receta false për 300 euro për të ndihmuar bosin shqiptar të drogës të arratisej, psikiatri përfundon vetë në burg
Një skemë e mirëorganizuar për të ndihmuar një bos shqiptar të drogës të shmangte drejtësinë i ka kushtuar lirinë një mjeku italian. Andrea Pacileo, psikiatër në një spital në Romë, është arrestuar dhe ndodhet në burg me urdhër të gjykatës, pasi dyshohet se ka ndihmuar bosin shqiptar të drogës Elvis Demçe, duke i ofruar vizita dhe receta mjekësore të falsifikuara.
Sipas hetimeve të prokurorisë italiane, Demçe, që ndodhej fillimisht në burg dhe më pas në arrest shtëpiak, paguante 300 euro për çdo seancë mjekësore, me qëllim që të siguronte dokumente që justifikonin lirimin e tij ose transferimin në ambiente më të favorshme për të. Mjeku, nëpërmjet këtyre raporteve të rreme psikiatrike, ndihmonte që autoritetet gjyqësore të jepnin vendime në favor të lirimit nga burgu dhe vendosjes në një program terapeutik në ambientet e spitalit ku punonte ai vetë.
Në këtë mënyrë, Demçe përfitonte nga vizitat spitalore për të dalë nga ambientet e izolimit dhe për të takuar bashkëpunëtorët e tij brenda dhe jashtë institucionit shëndetësor, duke vazhduar aktivitetin e tij kriminal.
Mjeku Andrea Pacileo akuzohet për korrupsion dhe abuzim me detyrën, ndërsa ndaj Demçes rëndojnë tashmë edhe akuza të reja për korrupsion, përveç atyre që lidhen me trafikun e drogës dhe aktivitetin e organizuar kriminal.
Rasti po trajtohet nga Prokuroria e Romës, ndërsa hetimet pritet të thellohen për të identifikuar edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë.