“Miushi në BBV”/ G Bani rrëfen aksidentin tragjik: Humba shikimin në njërin sy, shpërtheu kapsolli
Reperi i njohur G Bani ka ndarë një prej ngjarjeve më të rënda të jetës së tij gjatë një interviste në emisionin “S’e luan Topi”. Ai ka treguar se si një shpërthim kapsolle i ndryshoi jetën përgjithmonë, duke i dëmtuar shikimin në njërin sy.
Ngjarja ka ndodhur më 7 janar 1992, kur ai ishte vetëm 11-12 vjeç. G Bani tregon se punonte në një kioskë dhe, teksa shkoi të merrte vëllanë, një person i dha një kapsollë, e cila vinte nga magazinat e metalurgjisë në Rubik. Fillimisht, kapsolla nuk shpërtheu, por kur ai e ngacmoi më shumë, ndodhi një shpërthim i fuqishëm që i dëmtoi syrin e majtë.
“Më dërguan në Rrëshen, pastaj në Tiranë ku më bënë operacion me anestezi lokale. Mbaj mend gjithçka, ndjeja çdo gjilpërë. Ishte një traumë e madhe për një fëmijë të asaj moshe,” rrëfeu ai.
Pavarësisht kësaj fatkeqësie, reperi ka vazhduar përpara dhe sot, edhe pse me vetëm 50% të shikimit në syrin e majtë, ai vijon të jetë aktiv në muzikë. Megjithatë, ai pranoi se ndonjëherë e lëndojnë komentet e njerëzve që i referohen verbërisë së tij në mënyrë tallëse.
“Sot e kësaj dite lexoj komente qorr, miushi tek BBV që më këndonte Qorrin e Lalzit. Syri im është në 50% të shikimit”, përfundoi ai.