Mitrovicë e Veriut, sërish shtyhet vendimi për lirimin e një ndërtese komunale nga strukturat serbe
Kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq tha se ka shtyrë sërish zbatimin e vendimit për lirimin e një ndërtese komunale nga punonjësit e strukturave serbe. Kjo është hera e dytë që nga 25 gushti që kjo komunë shtyn vendimin, mes shqetësimeve ndërkombëtare për ndikimin e mundshëm të këtij vendimi në situatën e sigurisë.
Në vendimin e autoriteteve lokale në Mitrovicën e Veriut për shtyrjen thuhet se inspektorati komunal detyrohet që të faktojë rrethanat dhe arsyet e përdorimit të objektit në fjalë.
“Inspektorati Komunal duhet të sjellë Raportin nga pika 1) e këtij neni brenda afatit kohor prej 15 ditësh, pas pranimit të të cilit e pas vlerësimit të të gjeturave të cilit, ky Vendim ekzekutohet përmes procedurës përmbarimore, nëse palët kanë refuzuar lirimin vullnetar të objektit”, thuhet në vendimin e komunës.