Hetimet për vrasjen e biznesmenit shqiptar Artan ‘Toni’ Kaja vijojnë mes pikëpyetjeve dhe misterit. 52-vjeçari u gjet i vrarë më 7 janar brenda fabrikës së letrës “Smurfit Kappa” në Lunata. Viktima u qëllua në pjesën e poshtme të qafës, nga pas, në një akt që tregon se nuk kishte mundësi ta vërente autorin.
Pas vrasjes, në komisariat u dorëzua Marjan Pepa, një bashkëmoshatar dhe bashkëfshatar i viktimës, i cili deklaroi: “Unë jam përgjegjës për atë që ndodhi në fabrikën e letrës”. Pas kësaj, Pepa kaloi në gjendje shoku dhe që prej asaj kohe ka qenë i rezervuar, duke mos dhënë shpjegime të plota për krimin.
Sipas hetimeve fillestare, Pepa dyshohet se ka hyrë në fabrikë duke kaluar mbi një mur pranë varrezave të Lunatës dhe më pas e ka qëlluar Kajën nga pas. Hetuesit po punojnë për të gjetur armën e përdorur, e cila ende nuk është gjetur pavarësisht kërkimeve intensive në zonë. Pepa, i cili po ndiqet edhe nga një psikiatër, ka deklaruar se nuk e mban mend ku e ka hedhur armën.
Hetuesit po shqyrtojnë edhe raportin mes viktimës dhe autorit të dyshuar, që thuhet se ishte përkeqësuar gjatë viteve. Konfliktet për motive pune, zili dhe xhelozi dyshohen si shkaqet që çuan në këtë akt tragjik.
Autopsia, që pritet të kryhet së shpejti, mund të ofrojë disa përgjigje të tjera për dinamikën e ngjarjes dhe të ndihmojë në zbardhjen e plotë të këtij krimi. Ndërkohë, Pepa ndodhet i arrestuar në një qeli në San Giorgio në Lucca.