Misteri i vdekjes së 27-vjeçares shqiptare në Itali/ Ermela Muhametaj la pas një fëmijë të mitur, kërkoi divorcin ditën që u gjet e pajetë

Një ngjarje misterioze ka tronditur komunitetin shqiptar dhe italian në qytezën e Larinos, ku më 28 prill është gjetur e pajetë 27-vjeçarja shqiptare, Ermela Muhametaj. Fillimisht u raportua se e reja kishte kryer vetëvrasje, por hetimet e thelluara kanë ngritur dyshime të forta se ajo mund të jetë nxitur nga dikush për ta kryer aktin tragjik.

Ermela, nënë e një djali 8-vjeçar, kishte kontaktuar në orët e para të mëngjesit të ditës fatale avokatin e saj, duke i kërkuar një takim në lidhje me divorcin nga bashkëshorti, me të cilin jetonte në distancë prej disa muajsh. “A mund të takohemi në studio sot?”, ishte mesazhi i fundit që i dërgoi avokatit të saj, një sinjal që tregon se ajo kishte plane për të ardhmen dhe nuk ishte në gjendje dëshpërimi.

Pavarësisht hipotezës fillestare të vetëvrasjes, banorët e fshatit ku jetonte Ermela shprehen të tronditur dhe të dyshuar për rrethanat e vdekjes së saj. “Askush nuk beson se një nënë kaq e lidhur me të birin do të vendoste të largohej nga kjo jetë,” raportojnë mediat italiane, duke cituar banorë lokalë.

Prokuroria ka hapur një hetim për “nxitje për vetëvrasje”, ndërsa hetuesit janë në pritje të zbërthimit të të dhënave nga telefoni i saj dhe rezultateve të autopsisë, të planifikuara për më 2 maj, të cilat pritet të japin më shumë dritë mbi shkaqet dhe rrethanat e vërteta të vdekjes.

Ngjarja mbetet e mbuluar nga misteri, ndërkohë që familjarët dhe miqtë e Ermelës kërkojnë drejtësi dhe zbardhjen e plotë të të vërtetës.