Misteri i grabitjes së “One Albania”, çfarë fshihet pas ngjarjes së 25 dhjetorit?
Një ngjarje e pazakontë tronditi ambientet e One Albania në Tiranë më 25 dhjetor 2024, kur dy persona të maskuar depërtuan në katin e tretë të godinës, duke u zhdukur po aq në heshtje sa kishin hyrë.
Një grabitje për Krishtlindje, ideale për skenare hollivudi, duke patur parasysh një natë feste, kur shumë nga punonjësit e kompanisë ndodheshin në festën e përvitshme. Askush më shumë sesa stafi i brendshëm nuk kishte dijeni se kompania do të ishte bosh.
Por le tja nisim nga fillimi.
Ndryshe nga rastet e zakonshme të grabitjeve, grabitësit e One nuk vodhën asgjë. Nga dokumentimi që i është bërë ngjarjes më 25 dhjetor, ata kanë hyrë dhe kanë shkatërruar disa prej pajisjeve që ndodheshin në sallën e mbledhjeve.
Fill pas ngjarjes, punonjësit e One në bashkëpunim me rojet e Sigurisë së kompanisë Nazeri 2000 kanë rënë dakord për të fshehur ngjarjen.
3 muaj më pas, një shkrim i Ora News i shoqëruar me foton e dy grabitësve që hyjnë në One zbuloi se One ishte sulmuar. Policia nisi hetimin dhe po merr çdo ditë në pyetje personat e përfshirë. Pyetja është janë disa: Pse u fsheh ngjarja?
Pse u raportua 3 muaj me vonesë?
Çfarë u dëmtua në serverat e One?
Replikë ka mundur të mësojë se nuk ka asnjë pistë për autorët e bastisjes së One. Ata kanë thyer drynin e derës së pasme dhe kanë hyrë në kompani.
Ndërkohë që rojet e sigurisë së Nazerit shprehen para efektivëve të komisariatit nr 3 se “Nuk donim t’i prishnim reputacionin kompanisë.” Kjo deklaratë, sa e pazakontë aq edhe shqetësuese, flet për një kulturë të brendshme ku ruajtja e imazhit vlerësohet më shumë se siguria reale e ambientit apo e klientëve.
Ndërkohë që burime për Replikë po ashtu sqarojnë se hetimet zbuluan se një pjesë e kamerave të sigurisë nuk funksiononin mbrëmjen e Krishtlindjeve.
Kush i fiku kamerat? Kush ia shtroi rrugën autorëve?
Për të gjetur përgjegjësit, grupi hetimor po luan me një tjetër strategji. Punonjësit e One po merren në pyetje në ditë të ndara ndërkohë që po vëzhgohen tabulatet e tyre telefonike dhe kontaktet me drejtuesit e kompanisë.
Një kompani në qendër të vëmendjes
Grabitja ndodh në një kohë kur One Albania është nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës, për dyshime se po kufizon konkurrencën në treg përmes rritjes së pakontrolluar të çmimeve dhe paketave. Hetimi mbulon periudhën janar 2022 – dhjetor 2024, kohë gjatë së cilës konsumatorët kanë shprehur pakënaqësi të vazhdueshme.
Kërcënime kibernetike dhe sulme të mëparshme
Kjo nuk është hera e parë që kompania përballet me sfida sigurie. Në vitin 2023, grupi hakerash “Homeland Justice” pretendoi se kishte hyrë në sistemet e One Albania dhe kishte marrë të dhëna të ndjeshme. Kompania minimizoi incidentin, duke deklaruar se shërbimet nuk u ndikuan. Megjithatë, rrjedhjet e të dhënave dhe sulmet e përsëritura krijojnë një klimë pasigurie për mbi 1.2 milionë klientë aktivë.
Mungesa e kamerave, reagimi i ngadaltë dhe heshtja e “One” ndezin dyshimet për një sistem sigurie të brishtë, të ndikuar nga interesa më të thellë.
Interesa që shkojnë përtej marrëdhënieve biznes-konsumator dhe që nuk përshkruajnë aspak një gjigant teknologjik që duhet të ofrojë siguri dhe inovacion.
Ardhja e One në Shqipëri u përshëndet nga bota e biznesit dhe konsumatori shqiptar ndërkohë që largimi duket çdo ditë e më i afërt, i mbuluar me klientelizëm, afera me fondet publike dhe skandale me abuzimet e çmimeve të paketave dhe cilësisë./ Replika.al