Misteret e Stambollit – A po përgatitet një takim historik mes Trump, Putin dhe Zelensky në Turqi?

Tensionet në Evropë janë rritur vetëm disa orë para bisedimeve të rëndësishme në Stamboll mes delegacioneve ukrainase dhe ruse, ndërsa spekulimet për një takim historik mes Donald Trump, Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky po shtohen.

Megjithëse bisedimet u shtynë për të enjten pasdite, pas një deklarate të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ende mbetet e paqartë nëse udhëheqësit do të ulen në tryezë së bashku për të diskutuar kushtet e një armëpushimi.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tashmë ndodhet në Ankara dhe ka bërë deklarata të ashpra ndaj delegacionit rus, duke e cilësuar atë si “dekorativ”. Në përgjigje, Moska e ka quajtur Zelensky-n një “klloun dhe humbës që flet për njerëz të respektueshëm”, duke përshkallëzuar më tej tensionet diplomatike.

Nga ana tjetër, Donald Trump, i cili ka shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në bisedime nëse është e nevojshme, u shpreh se “nuk ka arsye” që Putin të marrë pjesë nëse ai vetë nuk është i pranishëm. Trump ka lënë të hapur mundësinë për një vizitë në Stamboll të premten, duke rritur spekulimet për një përballje të mundshme të liderëve.

Pavarësisht dyshimeve për pjesëmarrjen e Putinit, burime pranë Kremlinit kanë sinjalizuar se presidenti rus mund të shfaqet papritur, duke u bërë pjesë e një loje diplomatike që mbetet ende e hapur. Nëse kjo ndodh, bisedimet në Stamboll mund të kthehen në një moment historik për përfundimin e konfliktit në Ukrainë.