Misioni sekret i Mossad-it në Iran! Si u përgatit operacioni “Ngritja e Luanit” që tronditi Teheranin
Operacioni ushtarak izraelit “Ngritja e Luanit”, më i madhi i nisur ndonjëherë nga Izraeli kundër Iranit, nisi më 13 qershor me sulme ajrore të koordinuara, ku më shumë se 200 avionë luftarakë goditën dhjetëra objektiva brenda Iranit. Brenda pak orësh u shkatërruan sisteme kyçe të mbrojtjes ajrore iraniane dhe u eliminuan zyrtarë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë.
Suksesi i sulmeve u bazua në përgatitjen e gjatë dhe të fshehtë të agjentëve të Mossad dhe shërbimit ushtarak Aman, të cilët kanë kryer operacione të fshehta në terren gjatë viteve të fundit. Detajet e këtyre misioneve mbeten të klasifikuara dhe mund të mos dalin kurrë në dritë.
Për herë të parë, Mossad publikoi një video që tregon komandot izraelite duke kryer sabotime në territorin iranian, duke përdorur dronë dhe raketa të drejtuara kundër objektivave strategjike.
Pas sulmeve, autoritetet iraniane u tronditën dhe u panikosën, duke paralajmëruar qytetarët të kontrollojnë për dronë dhe duke kërkuar dorëzimin e spiunëve izraelitë. Shërbimet e sigurisë iraniane janë në alarm të lartë për sulme të mundshme nëpërmjet pajisjeve të komunikimit.
Burime anonime nga Financial Times zbulojnë se operacioni u mbështet në një rrjet të gjerë agjentësh, pajisjesh spiunazhi, satelitësh dhe teknologjive të avancuara për të mbledhur informacione të detajuara dhe për të përgatitur goditjet me saktësi kirurgjikale.
Një ish-zyrtar izraelit tha se pas këtij operacioni qëndrojnë “miliona dollarë dhe vite përpjekjesh”. Plani i sulmit dhe përzgjedhja e objektivave kryesore u finalizuan që në mars të këtij viti.
Në të kaluarën, Izraeli kishte testuar me sukses këto taktika në rajone si Libani dhe Siria, duke përdorur përvojën në vrasjen e udhëheqësve të lartë si Ismail Haniyeh dhe Hassan Nasrallah.