Misioni parazgjedhor i Këshillit të Evropës vizitë në Shqipëri, diskutohet procesi zgjedhor dhe masat për informimin e votuesve
Një delegacion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) po zhvillon një vizitë në Shqipëri në kuadër të vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Gjatë ditës së sotme, delegacioni u takua me të tre trupat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), përfshirë Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) dhe Komisionin Rregullator.
Sipas Celibashit, në takim u diskutua për ecurinë e përgatitjeve zgjedhore, regjistrimin e votuesve nga jashtë, administrimin e procesit brenda vendit dhe masat për informimin e qytetarëve, me fokus te pakicat kombëtare, votuesit për herë të parë dhe grupet e margjinalizuara.
Delegacioni i PACE shprehu interes për bashkëpunimin mes SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme për hetimin e krimeve zgjedhore, si dhe për masat që synojnë parandalimin e abuzimit me burimet shtetërore në fushatë. Gjithashtu, u diskutua edhe për votimin elektronik dhe mungesën e zgjerimit të tij, si dhe për mënyrën e shpërndarjes dhe kthimit të fletëve të votimit për qytetarët që votojnë nga jashtë.