Mishi me salmonelë! Berisha e akuzoi se ka helmuar dhe Ramën, kush është pronari i ‘diMal’ dhe ‘AMG FOOD’
Rreth një muaj më parë më 28 mars u zbulua skandali me mishin e pulës me salmonelë, ku 15.000 kilogramë u konsumua nga qytetarët.
Nga kontrollet që u ushtruan në supermarkete apo kudo ku mund të shitej, nuk u gjet asnjë gram mish i futur në vendin tonë. Por kush e solli dhe e ‘serviri’ mishin e infektuar për konsumatorët shqiptarë?
Pas skandalit qëndrojnë dy kompani: ‘DiMal’ dhe ‘AMG FOOD’, në pronësi të biznesmenit Mondi Goxha. Kompania ‘AMG FOOD’ më 11 mars importoi nga Brazili gati 8 tonë mish pule të kontaminuar me salmonelë. Më pas do të ishte kompania ‘Dimal’, ajo që do e shpërndante në treg.
Emrat ku u shpërnda produkti nuk dihen me saktësi, por në faqen zyrtare të kompanisë “Dimal”, vëmë re se bashkëpunëtorë janë marketet më të frektuentuar nga blerësit shqiptarë, si: “Big Market”; “Xhangolli”; “Euromarket” dhe “Joena”.
Përveç qytetarëve, konsumit të mishit të infektuar nuk i ka shpëtuar as kryeministri Edi Rama. Në një deklaratë së fundmi, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se biznesmeni Mondi Goxha është një eksponent i Partisë Socialiste.
Sipas Berishës, Goxha mishin e pulës e ka çuar deri tek kryeministri, ku pretendon se Rama është helmuar nga konsumimi i tij.
Si vepruan dy kompanitë?
Ngarkesa e dyshimtë mbërriti në Portin e Durrësit më 11 mars 2025 dhe është marrë nga kompania ‘Dimal Inc’, një subjekt i themeluar në vitin 2019 nga Mondi Goxha, një nga të akuzuarit kryesorë në këtë çështje.
Mostrat janë marrë vetëm pak ditë më vonë nga ana e agjentëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Rezultatet e analizave kanë dalë pas 3-4 ditësh që nga marrja e monstrave, kur në fakt duhet që të dilnin brenda 24 orëve.
Sipas analizave të kryera në ISUV, u zbulua se mishi ishte infektuar me “Salmonella Typhimurium”, por që në këtë kohë, mishi ishte shitur. Gjithsej, nga 27 ton, janë shitur 13.5; shumica në qarkun e Kukësit, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë nëpër marketet e gjithë vendit.
Vetë kompania “diMal” thotë që është distributor/shpërndarës në Big Market, Xhangolli, Euromarket dhe Joena. Por nuk dihet nëse është shitur edhe në markete të tjerë.
Çfarë deklaroi asakohe Mondi Goxha?
Pronari i kompanisë Mond Goxha, pranoi se malli me salmonelë është i porositur prej tij. Por shtoi se nuk ka një shifër ekzakte sesa ka shitur në treg. Të vetmin koment për situatën e krijuar ka faktin që ndihet nën presion.
“Kam shitur nga malli që ka ardhur i importuar, por nuk kam dijeni sesa. Tani jam nën presion,”-ka thënë në një prononcim për ZËRI-n, Mondi Goxha.
Deklarata e ‘diMal’ dhe “AMG Food”
Kompania “diMal Inc.” në pronësi të Mondi Goxhas shprehet se nuk është importuesi i mishit të papërpunuar të pulës dhe pasi u njoftua se ka dyshime për kontaminim të mishit ndërmori masat paraprake. Ndërsa, kompania “AMG Food”, edhe kjo në pronësi të Mondi Goxhës, pranon se në fakt në treg është shitur mish i kontaminuar.
Sipas deklaratës, sapo Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se mishi është i kontaminuar, kompania në fjalë ka tërhequr produktet nga tregu. Sipas “AMG Food” kompania ka vendosur në disapozicion të AKU 154 fatura të produktit të shitur të kontaminuar në treg dhe janë njoftuar konsumatorët.
Në vitin 2023, ai u mor si shembull nga asokohe ministria e Bujqësisë, Frida Krifca. Në një postim në rrjetet e saj sociale ajo zbuloi se Goxha kishte përfituar nga programi i IPARD-it për të siguruar të ardhura shtesë për të krijuar fabrikën, tek e cila përpunohen edhe mishrat e infektuar që arrijnë të futen më pas edhe në treg.
Asokohe, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca e përmendi si shembull të një kompanie që merret të përpunimit të mishit me standardet më të mira dhe që garanton siguri ushqimore maksimale në treg dhe për eksport.
Nga ana tjetër Goxhaj shprehej se, në vitin 2019 aplikoi pranë AZHBR-së, për mbështetje nga IPARD, për ndërtimin e stabilimentit sipas të gjitha kritereve që vendosura nga programi IPARD II.
Sot pronari i dy kompanive Mondi Goxha dhe vëllai i tij, Arben Goxha administrator i ‘diMal’, po hetohen në gjendje të lirë. Dy vëllezërit akuzohen për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme, për shëndetin ose jetën e njerëzve“.