Mirditë/ Zjarrvënie e qëllimshme në zonën e Malajve, në rrezik jeta e banorëve
Zjarrvënia e qëllimshme ka goditur sërish në zonën e Malajve, pranë fshatit Tenë në Mirditë, duke vënë në rrezik serioz jetën dhe pronën e banorëve të zonës.
Autoritetet lokale konfirmojnë se zjarret janë të qëllimshme dhe përbëjnë një vepër të rëndë penale.
“Duhet ta dinë të gjithë se këto veprime do të ndiqen penalisht dhe autorët do të mbajnë përgjegjësi të plotë ligjore,” deklaruan përfaqësues të strukturave vendore.
Në terren ndodhen forcat Zjarrfikëse, shërbimet Pyjore, si dhe kryeplaku i fshatit i cili, bashkë me banorët, po angazhohet në mënyrë aktive në përpjekjet për shuarjen e flakëve. Terreni i vështirë dhe era po e bëjnë të vështirë kontrollin e situatës.
Autoritetet apelojnë për bashkëpunim nga ana e qytetarëve dhe kërkojnë që çdo informacion mbi autorët e mundshëm të këtyre zjarrvënieve të raportohet menjëherë.
Situata mbetet ende e rënduar dhe pritet të ketë zhvillime gjatë orëve në vijim.