Mirditë/ Dy vëllezër në telashe, kapen me drogë, armë dhe mbi 1300 fishekë! Vihen të dy në pranga
Policia e Mirditës ka vënë në pranga dy vëllezër, të cilët akuzohen për kultivim të lëndëve narkotike dhe mbajtje të armëve të zjarrit dhe municioneve pa leje. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Double Strike”, u sekuestruan 24.5 kilogramë kanabis, armë zjarri, municione luftarake dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Gjatë operacionit të zhvilluar në fshatin Kullaxhi, Mirditë, u ushtrua kontroll në banesën dhe magazinën në pronësi të vëllezërve Ilir Deda, 40 vjeç, dhe Pashk Deda, 45 vjeç. Nga kontrolli i magazinës, policia gjeti tre thasë me kanabis në formë boçeje, ndërsa në banesë dhe territorin përreth u zbuluan:
• Dy armë zjarri (kallashnikov dhe pushkë)
• Katër armë gjahu
• 1297 fishekë luftarak dhe 17 fishekë çifteje
• Dy radio marrëse-dhënëse si ato të policisë
• Një shkop gome dhe një shkop bejzbolli
Të gjitha armët dhe municionet janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore për ekspertizë, për të përcaktuar nëse janë përdorur më parë për vepra penale.
Materialet hetimore i janë dorëzuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për vijimin e procedurave. Vëllezërit përballen me akuzat për “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve dhe municioneve”, “Prodhimin dhe shitjen e narkotikëve”, “Fshehjen e të ardhurave” dhe “Mbajtjen pa të drejtë të uniformës”.