Miratohet statusi i veçantë për shkollat, Ministrija e Arsimit: Buxhet i dedikuar për drejtim artistik dhe sportiv

Qeveria miratoi sot vendimin për t’i dhënë status të veçantë shkollave me drejtim artistik dhe sportiv.

Sipas Ministres Manastirliu, vendimi synon të përmbushë disa qëllime të rëndësishme për këto shkolla, si, zhvillimin e kurrikulave artistike dhe sportive për t’u përshtatur me kërkesat e tregut të punës, ruajtjen e traditës dhe identitetit kombëtar në fushën e artit dhe sportit, zbulimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në këto fusha, përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies si dhe sigurimin e mbështetjes financiare të veçantë për këto shkolla.

“Sot në mbledhjen e qeverisë kemi miratuar akte të rëndësishme që kanë të bëjnë me sistemin arsimor, me reformimin dhe transformimin e strukturave me orientim artistik dhe sportiv. Këtyre shkollave do t’u jepet status i veçantë sipas plotësimit të kritereve specifike. Është për t’u theksuar fakti që fëmijët në shkollat artistike do të kenë një kurrikul të posaçme, e cila do të përshtatet sipas kërkesave dhe nga ana tjetër do të ketë organizim specifik të këtyre shkollave, duke u fokusuar jo vetëm në mbështetjen e statuseve arsimore, por edhe në hapjen e këtyre shkollave sipas një niveli autonomie. Këto shkolla do të kenë edhe një mbështetje të dedikuar buxhetore për të rritur performancën, cilësinë dhe për të shtuar interesin e nxënësve tanë për të qenë pjesë e arsimit të orientuar”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.