Ministrja Xhaçka përshëndet vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën: Procesi të përmbyllet sa më shpejt

Nga 1 Janari i 2024 shtetasit e Kosovës do të udhëtojnë pa viza drejt shteteve të BE-së. Ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian këtë të enjte dhanë dritën jeshile heqjes së vizave për Kosovën në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel.

Lidhur me këtë lajm, ka reaguar ministrja për Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila përmes një postimi në Twitter ka mirëpritur vendimin që i hap rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Mirëpresim vendimin e Këshillit të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të BE që i hap rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën. Le të shpresojmë që pas një vonese kaq të gjatë dhe të pajustifikuar procesi të përmbyllet sa më shpejt dhe qytetarët e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen”, ka shkruar ministrja Xhaçka.