Ministrja e Turizmit thirrje bizneseve të hotelerisë: Si të aplikoni për shezlone në plazh, ja kriteret dhe kush përfiton
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka zbuluar se data 20 dhjetori është afati i fundit i aplikimeve për të gjithë subjektet që dëshirojnë të menaxhojnë stacione plazhi gjatë sezonit veror 2025.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kumbaro u bëri thirrje subjekteve private që disponojnë struktura akomoduese pranë bregdetit të aplikojnë në portalin e-Albania deri më 20 dhjetor.
Postimi i plotë i Kumbaros:
“Vëmendje! 20 Dhjetori do të jetë afati i fundit i aplikimeve në E-Albania për të gjitha subjektet private që disponojnë struktura akomoduese pranë bregdetit, të certifikuara nga MTM dhe që dëshirojnë të menaxhojnë stacione plazhi gjatë sezonit veror 2025.”
Aplikimi mund të bëhet sipas kritereve të reja ligjore, ku plazhet mund të merren nën administrim të përkohshëm vetëm nga hotelet e vijës së parë ose ato që ndodhen në afërsi.
Të gjitha subjektet e interesuara mund të kryejnë aplikimin në portalin e-Albania duke kërkuar shërbimin “Aplikim për ushtrimin e veprimtarisë së stacion plazhi”.
Hartat e plazheve u miratuan në fillim të muajit nëntor gjatë mbledhjes së Komitetit të Menaxhimit të Sezonit Turistik, ndërsa me rregulloren e re lirohen rreth 675 parcela plazhesh.