Ministrja e Shëndetësisë e shkarkoi nga puna, reagon drejtoresha e spitalit: Më ‘ekzekutuan’! Si do ushqehet fëmija im?

Drejtoresha e Spitalit të Librazhdit, Fatbardha Qatja është shkarkuar nga detyra. Qatja është shkarkuar nga detyra me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, duke emëruar në detyrë drejtuesin e ri, Ermir Sulollari. Ky i fundit aktualisht mbante postin e nënkryetarit të bashkisë Librazhd.

Por lajmi për shkarkimin e Qatjas duket se ka qenë i papritur edhe për të, ndaj kjo e fundit ka bërë një reagim në rrjetet e saj sociale. Në Facebook, ajo shkruan se shkarkimi i saj nga detyra ka qenë i papritur. Ndër të tjera tregon edhe problemet financiare me të cilat po përballet pas shkarkimit nga puna, të cilin e cilëson si “ezekutim”.

“Unë nga shteti im vetëm rrogën kam marrë, asgjë tjetër. Meqë më hoqët urgjent nga puna, ku do të ushqehet fëmija im? Unë jam nënë para se të jem drejtuese apo punonjëse. Ti si shtet, ku mendon se do të jem unë nesër?!Të më flakësh në rrugë? Ky është ekzekutim. Në emër të kujt? Dhe pse?! Pse qënkam problem ?! Pse punoj? Pse nuk korruptohem? Pse zbatoj ligjin?! Çfarë mund të pres më pas kësaj? E gjitha për t’ iu bërë qejfi dikujt që e kam shkelur në kallo me drejtësinë time, me korrektësinë time duke zbatuar ligjin,”-shkruan ndër të tjera Qatja.

Reagimi i Fatbardha Qatja:

Miqtë e mi! Sot pa pritur dhe papandehur më vjen një shkresë në rrugë ” postare” ku kërkohej largimi im rrufe nga puna. As shkak, as arsye. Çudi, as një njoftim paraprak, dhe për më tepër as njoftim që do të bëhej shkarkimi. Si në epokën e “qoftë largut”,ishte kjo maskaradë sot. Nuk është hataja se të përkohshëm jemi madje edhe jeta jonë e përkohshme është. Po përse bëhet ky shkarkim?! Nuk dua ta besoj që digasteri ministror që unë kam punuar si institucion vartës me ta, të arrijë në këtë derexhe. Është nënshkruar nga ministrja që më datë 28 shkurt dhe si ka mundësi që vrap e vrap ,posta e solli sot më dt.3 mars, që në 8 e 30 të mëngjesit?! A vetëm për mua paska punuar shërbimi postar në ditë pushimi?

E gjitha kjo ,meqë nga dt 3 mars, fillojnë pezullimet e lëvizjeve në administratë, posta vrap e vrap mbërriu te Spitali Librazhd. Një heqje pa ekuivok besoj bëhet në shkeljet tejet të rënda. Dua të jem transparente .Unë nuk jam drejtor “kapadai” që në rrugë alladhverishe, korruptive kam mbledhur “dhjamë” dhe nëse rri pa punë kam dhjamin për t’ u djegur. Unë nga shteti im vetëm rrogën kam marrë, asgjë tjetër. Meqë më hoqët urgjent nga puna, ku do të ushqehet fëmija im? Unë jam nënë para se të jem drejtuese apo punonjëse .Ti si shtet, ku mendon se do të jem unë nesër?!Të më flakësh në rrugë? Ky është #EKZEKUTIM. Në emër të kujt? Dhe pse?! Pse qënkam problem ?! Pse punoj? Pse nuk korruptohem? Pse zbatoj ligjin?! Çfarë mund të pres më pas kësaj? E gjitha për t’ iu bërë qejfi dikujt që e kam shkelur në kallo me drejtësinë time, me korrektësinë time duke zbatuar ligjin.

Përpos kësaj, mirënjohëse pafund stafit të Spitalit Librazhd& Prrenjas. E privilegjuar për 1 vit e 5 muaj, që kemi punuar dhe kemi ndarë çdo sfidë bashkë. Konsiderata për #JU meriton një status tjetër në një moment sa më të afërt