Ministria e Brendshme në Itali përgatit listën e emigrantëve për Gjadër, mes tyre edhe shqiptarë
Ministria e Brendshme e Italisë ka nisur përgatitjen e listës së parë të emigrantëve që do të transferohen drejt kampit në Gjadër, në zbatim të marrëveshjes së arritur me qeverinë shqiptare për menaxhimin e fluksit migrator.
Sipas të përditshmes italiane La Repubblica, këtë herë bëhet fjalë për emigrantë që ndodhen në pritje të dëbimit dhe që aktualisht mbahen në qendrat italiane të riatdhesimit, të cilat janë mbushur përtej kapacitetit. Mes emrave që po shqyrtohen për transferim, janë edhe shqiptarë, përveç emigrantëve nga Tunizia, Egjipti dhe Maroku.
Në mënyrë paradoksale, shqiptarët e parregullt që ndodhen në Itali mund të përfundojnë në kampin e Gjadrit, duke pritur që të pranohen nga autoritetet shqiptare. Për ta, procesi i riatdhesimit do të ishte më i thjeshtë dhe më pak i kushtueshëm, pasi do të mund të liroheshin në territorin shqiptar.
Ndërsa për emigrantët e tjerë, siç përcakton protokolli i firmosur mes kryeministrit Edi Rama dhe autoriteteve italiane, duhet më parë kthimi në Itali dhe më pas procedurat e riatdhesimit në vendin e origjinës.
“La Repubblica” shkruan se është e rëndësishme që Italia të forcojë marrëveshjet bilaterale me vendet e origjinës, për të shmangur një efekt “bumerang” në rast se emigrantët mbeten në Shqipëri për muaj të tërë pa mundësi kthimi. Lista e parë pritet të përfundohet së shpejti nga Departamenti për Liritë Civile dhe Imigracionin, i drejtuar nga prefektja Rosanna Rabuano.