Ministri Ulsi Manja: Po ndërtojmë një drejtësi të besueshme dhe në shërbim të qytetarit
Në një aktivitet të zhvilluar më 14 korrik në Tiranë, u prezantua Vëllimi II i Udhërrëfyesit për Jurisprudencën Kushtetuese, me pjesëmarrjen e Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, anëtarëve të kësaj gjykate, përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe shoqërisë civile.
Në fjalën e tij, ministri Ulsi Manja e cilësoi këtë publikim si një moment të rëndësishëm reflektimi mbi ndërtimin e një shteti të së drejtës funksional dhe demokratik.
“Ky është një hap domethënës drejt forcimit të transparencës, edukimit juridik dhe ndërtimit të një drejtësie të besueshme. Gjykata Kushtetuese është mbrojtësja e themeleve të demokracisë sonë,” – u shpreh Manja.
Ministri vlerësoi rolin thelbësor të Gjykatës Kushtetuese si garant i rendit juridik dhe mbrojtëse e të drejtave themelore, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për zbatimin efektiv të vendimeve të saj.
Ulsi Manja foli gjithashtu për Udhërrëfyesin për Shtetin e së Drejtës, të miratuar në fund të vitit të kaluar, i cili përfshin masa konkrete si përmirësimi i sistemit të publikimit të vendimeve, zhvillimi i mjeteve të reja të informimit, rritja e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe trajnime për gjyqtarët.
Në përfundim, Ministri i Drejtësisë falënderoi Gjykatën Kushtetuese, autorët dhe partnerët ndërkombëtarë, duke ritheksuar angazhimin e Ministrisë për një sistem drejtësie të pavarur, funksional dhe të afërt me qytetarin, në përputhje me standardet evropiane.
Deklarata e ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja
E nderuar Kryetare e Gjykatës Kushtetuese,
Të nderuar anëtarë të kësaj gjykate,
Të nderuar kolegë,
Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik, të shoqërisë civile dhe të ftuar të nderuar,
Është një kënaqësi dhe nder i veçantë që sot, në emër të Ministrisë së Drejtësisë, të jem pjesë e këtij aktiviteti kushtuar prezantimit të Vëllimit II të Udhërrëfyesit për Jurisprudencën Kushtetuese.
Ky takim është më shumë sesa një ngjarje formale. Ai është një moment reflektimi mbi rrugëtimin tonë të përbashkët për ndërtimin e një shteti të së drejtës funksional dhe të qëndrueshëm, ku parimet kushtetuese nuk mbeten vetëm në letër, por zbatohen në çdo hap të jetës institucionale dhe shoqërore.
Publikimi i këtij vëllimi të ri është një hap domethënës për përmirësimin e kulturës juridike në vend. Ai ofron një pasqyrë të qartë dhe të sistemuar të praktikës kushtetuese, duke shërbyer si një mjet i vyer jo vetëm për juristët, akademikët dhe studentët, por edhe për çdo qytetar që dëshiron të njohë më mirë të drejtat dhe liritë e tij.
Kjo është dëshmi e përkushtimit institucional për transparencë, edukim juridik dhe forcim të besimit të publikut te drejtësia. Duke e bërë jurisprudencën më të aksesueshme dhe të kuptueshme, ne kontribuojmë drejtpërdrejt në krijimin e një kulture të respektit ndaj Kushtetutës dhe të drejtave themelore të njeriut.
Në një shtet demokratik, Gjykata Kushtetuese është garant i rendit juridik dhe i parimeve mbi të cilat ngrihet Republika. Përmes vendimmarrjes së saj, ajo mbron ekuilibrin mes pushteteve, siguron kufizimin e ndërhyrjeve arbitrare dhe mbron liritë dhe të drejtat themelore të individit.
Ky institucion nuk është thjesht një gjykatë që shqyrton çështje juridike – është mbrojtësi i kontratës sonë shoqërore, i themeleve të demokracisë sonë dhe i stabilitetit të shtetit.
Udhërrëfyesi për Shtetin e së Drejtës, i miratuar në fund të vitit të kaluar, përmban masa të qarta dhe ambicioze për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e transparencës.
Ai synon:
• përmirësimin e sistemit të publikimit të vendimeve,
• zhvillimin e mjeteve të reja të informimit për publikun dhe profesionistët,
• rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për zbatimin efektiv të vendimeve,
• dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve dhe shkëmbimeve me gjykatat partnere në Evropë.
Këto masa nuk janë qëllim në vetvete, por pjesë e një vizioni më të gjerë për të garantuar një drejtësi më të hapur, të përgjegjshme dhe të besueshme për qytetarët.
Për Shqipërinë, procesi i integrimit evropian nuk është thjesht një objektiv politik, por një reformë e thellë shoqërore dhe institucionale. Përafrimi me standardet evropiane të të drejtave të njeriut dhe të shtetit të së drejtës kërkon një sistem drejtësie që është i pavarur, i drejtë dhe efektiv.
Në këtë proces, Gjykata Kushtetuese ka një rol kyç: të sigurojë që çdo ndryshim ligjor apo institucional të respektojë Kushtetutën dhe vlerat themelore mbi të cilat mbështetet rendi ynë demokratik.
Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar të mbështesë me të gjitha mjetet institucionale këtë proces. Ne jemi të vendosur të punojmë ngushtësisht me Gjykatën Kushtetuese, me gjykatat e tjera, me shoqërinë civile dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për të garantuar zbatimin e reformave dhe ndërtimin e një drejtësie që i shërben vërtet qytetarit.
Kjo nuk është një punë që mund të bëhet vetëm. Kërkon bashkëpunim të ngushtë, mirëbesim dhe dialog të hapur ndërmjet të gjitha institucioneve.
Në mbyllje, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçe dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese për punën e palodhur dhe përkushtimin e treguar në këtë proces.
Falënderoj të gjithë ata që kontribuan në hartimin dhe botimin e këtij vëllimi të ri. Falënderime të veçanta edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë dhe përfaqësuesit diplomatikë që na mbështesin në rrugëtimin drejt forcimit të shtetit të së drejtës dhe përmbushjes së aspiratës sonë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.
Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për një sistem drejtësie të ndershëm, të hapur dhe të besueshëm, në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe në mbrojtje të Republikës sonë dhe parimeve të saj kushtetuese.
Ju uroj një aktivitet të suksesshëm dhe diskutime të frytshme.
Faleminderit!